Shkolla e Magjistraturës, më datë 17 mars 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me Temë: “Problematika të hasura në praktikën gjyqësore për zbatimin e Konventës së Hagës Për Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijës, 1980, ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Ligjin nr. 9446/2005. Shtyllat kryesore dhe funksionet e Konventës, mjetet në dispozicion dhe kuptimi i instituteve, fusha e zbatimit. Kuptimi i parimit të interesit më të lartë të fëmijës ne rastet e rrëmbimit civil ndërkombëtar. Marrëdhëniet ndërmjet Konventës së Hagës dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sipas jurisprudencës së GjEDNJ-së", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Aida Bushati; Arta Mandro
Lehtësues: Ardit Kuka
Qëllimi i këtij trajnimi është: Trajnimi synon të zgjerojë njohuritë e gjyqtarëve dhe aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë lidhur me rëndësinë që ka mbrojtja ndërkombëtare e fëmijëve nga pasojat e dëmshme të largimit ose mbajtjes së tyre të padrejtë dhe për të krijuar procedura që sigurojnë kthimin e tyre të menjëhershëm në shtetin e banesës së tyre të përhershme, si dhe për të siguruar mbrojtje për të drejtat e kontaktit. Trajnimi synon të trajtojë çështje mbi zbatimin e duhur të Konventës së Hagës në juridiksionin civil e penal, për rastet që lidhen me aspekte të rrëmbimit civil ndërkombëtar të fëmijëve dhe marrjen e padrejtë të fëmijës. Drejtësi në përputhje me parimin e interesit më të lartë të fëmijës sipas Konventës Ndërkombëtare së Hagës për aspekte të rrëmbimit civil ndërkombëtar të fëmijës, si dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Trajnimi thelloi më tej njohuritë mbi Konventën e Hagës “Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijës” – 1980, dhe trajtoi çështje të praktikës gjyqësore shqiptare mbi Koventën e Hagës “Aspektet civile për rrëmbimin ndërkombëtar të fëmijës”, më konkretisht raste të proceseve civile, penale dhe kushtetuese. Natyra e gjykimit të çështjeve penale me akuzë “Marrja e padrejtë e fëmijës” parashikuar nga neni 127 i Kodit Penal. (Subjektet procedurale, roli i tyre në proces).
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Shtyllat kryesore të Konventës së Hagës “Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijës” – 1980, dhe fusha e zbatimit të saj.
- Funksionet e Konventës. Mjetet në dispozicion dhe kuptimi i instituteve,
- Kuptimi i parimit të interesit më të lartë të fëmijës në zbatim të kësaj konvente.
- Njohuri mbi nevojën e një zbatimi të harmonizuar të Konventës sëHagës (1980) me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
- Detyrimet e nenit 8 KEDNJ dhe kthimi i fëmijës sipas Konventës së Hagës (1980).
- Sjelljet e autoritetve kombëtare dhe shkeljet e nenit 8 të KEDNJ. Kufijtë e vlerësimit dhe interesi më i lartë i fëmijës sipas GJEDNJ.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe përmbarues gjyqësorë të Republikës së Shqipërisë.





Shkolla e Magjistraturës